Vuçiq harron çka ka nënshkruar në prezencë të Trumpit, premton lobim kundër njohjes së Kosovës nga Izraeli

Serbia nuk dëshiron që Izraeli ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. Për këtë presidenti serb Aleksandar Vuçiq planifikon që të premten të kontaktojë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu përmes telefonit, pak ditë pasi Serbia dhe Kosova nënshkruan marrë veshje në Shtëpinë e Bardhë, shkruan të enjten “Jerusalem Post”.

Në marrë veshje ishte paraparë që Serbia duhet të zhvendosë ambasadën e saj në Jerusalem e Kosova duhet të hapë një të tillë po aty, pasi menjëherë pas marrë veshjes kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, e kryeministrit izraelit u pajtuan për njohje reciproke, me ndërmjetësim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Sipas mediumit, Vuçiqi do ta kishte të vështirë t’ua pranonte votuesve të vet se po bëhet shteti i parë evropian që çon ambasadën në Jerusalem, siç parashihte marrë veshje e nënshkruar në Washington, përderisa Izraeli bën diçka që Serbia e konsideron të papranueshme: njohjen e Kosovës si shtet.

Burimet nga Serbia kanë thënë për “JPost” se Izraeli mund të vendosë marrë dhënie diplomatike me Kosovën “nën një prag të caktuar”.

Në fjalë të tjera, situata, sipas dëshirave të Serbisë, duhet të jetë e ngjashme me Izrael – Tajvan, aty ku Izraeli ka një konsullatë dhe lidhje tjera diplomatike, por jo një ambasadë apo njohje zyrtare të pavarësisë.

“Nëse Izraeli njeh Kosovën, Serbia prapëseprapë mund të hapë ambasadën në Jerusalem, por lidhjet me Beogradin do të degradoheshin ndjeshëm”, thuhet në raportim.