Haradinaj: Hoti po merr në takim njerëzit e Thaçit e nuk po fton njerëzit e mi

Ramush Haradinaj

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka shprehur përsëri pakënaqësi që ministrat e AAK-së nuk po ftohen të marrin pjesë në takimet që zhvillohen në kuadër të dialogut.

Haradinaj në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se për të është shumë domethënëse që Skender Hyseni është zgjedhur për të udhëhequr dialogun.

“Skënder Hyseni është i përkëdheluri i Thaçit. Madje i përzgjedhuri i tij, pasi ai [Thaçi] e përshëndeti emërimin e tij në kohën kur unë jam pjesë e qeverisë dhe mbaj përgjegjësi. Kryeministri im preferon të hyjë në takim me të zgjedhurin e Thaçit e jo me njeriun e Ramushit që është pjesë e qeverisë”, tha ai.

Haradinajt i ka mbetur hatri pasi sipas tij ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj është lënë jashtë takimit në Bruksel e që sipas tij aty ka shkuar njeriu i Thaçit, duke ju referuar Skënder Hysenit.

Partneri i LDK-së në koalicionin qeverisës e ka quajtur sjellje komode atë të Skender Hysenit në raport me dialogun me Serbinë.