Grenell: Vuçiq i sinqertë, tregon çfarë mundet dhe çfarë nuk mundet

Grenell Vuçiq

Emisari i posaçëm i presidentit të SHBA për dialog në mes Kosovës dhe Serbisë, i ka thënë gazetarëve se ai dëshiron që njerëzit t’i mbajnë për fjale, se janë bërë shumë premtime dhe se është me rëndësi që ata të jenë të përkushtuar ndaj premtimeve, e jo vetëm të mbeten fjalë në letër.

“Simbolika është e rëndësishme, por ajo nuk vendosë ushqim në tryezë. Kjo është arsyeja pse ne kërkojmë nga njerëzit nga Serbia të mbajnë mend detyrimet tona – na mbani për fjale dhe do të shihni se vërtetë po krijohen vendet e punës. I gjithë rajoni mund të përfitojë nga kjo”, ka pretenduar Grenell.

Ai gjithashtu tha se Vuçiq “ishte i sinqertë në atë çfarë mund dhe çfarë nuk mund të bëjë”.

“Unë duhej të punoja shumë me të dyja palët, e di se do të ketë më shumë palë, dhe ne nuk kërkojmë që Serbia gjithmonë të pajtohet me Shtetet e Bashkuara, do të ketë dallime, por ajo që unë dëshiroj është t’i përkushtohemi dialogut, dhe në fund të fundit, cilido të jetë vendimi, të ndaheni si miq”, ka pretenduar Grenell. Ai theksoi se shpreson që këto janë “marrëdhënie krejtësisht të reja”.

Çështjet politike do të gjenden në këtë rrugë, por kur njerëzit kanë punë të paguara mirë, tensionet dhe lufta politike do të zvogëlohen. Presidenti Trump është përqendruar në ekonomi dhe angazhimi ynë ndaj popullit të Serbisë është që ne gjithmonë të mbajmë premtimet tona. Unë jam i ngazëllyer rreth kësaj, ky është delegacioni më i madh nga Shtetet e Bashkuara që ne kemi sjellë ndonjëherë në Serbi”, theksoi Grenell.

Ai përmendi që rezultatet e këtij bashkëpunimi ekonomik do të marrin kohë.

“Por nëse i kthehemi temave politike, mendoj se atëherë do të bëjmë të njëjtën gjë që të tjerët kanë bërë për 21 vjet, ata thjesht kanë vendosur fjalë në letër, dhe populli i Serbisë nuk do t’i ndiejë rezultatet. Unë besoj se nëse japim pak kohë, të themi një vit, kjo është arsyeja pse ne kemi caktuar një vit për të pezulluar fushatat për çnjohjen dhe njohjen e Kosovës, për t’u treguar njerëzve në Serbi dhe Kosovë se fjalët tona do të thonë diçka. Prisni prej nesh të krijojmë vende pune dhe temat politike do të duhet të presin”, ka thënë Grenell.

Më parë, bisedimet midis odave ekonomike të Serbisë, Kosovës dhe Korporatës Amerikane të Financave të Zhvillimit u mbajtën në rezidencën e ambasadorit të SHBA-së në Beograd.

Richard Grenell, Boehler, ambasadori amerikan në Serbi Anthony Godfrey dhe kryetarët e odave ekonomike të Serbisë dhe Kosovës, Marko Çadezh dhe Berat Rukiqi, u pajtuan pas këtij takimi në një konferencë për medie se marrëveshja e Uashingtonit solli një pikë kthese, sepse fokusi u zhvendos nga politika në zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të punës, dhe se të gjitha këto do të sjellin stabilitet në rajon.