E JASHTËZAKONSHME: Covid-19 shpall pavarësinë në Kosovë

Covid-19 shpall pavarësinë në Kosovë

I njohur deri tani si Covid-19 apo Coronavirus, nga sot e tutje do të quhet Republika Pandemike e Covid-19. Virusi që doli nga gjiri i Wuhanit të Kinës dhe bëri xhiro anëkend botës, me 30 qershor 2019 ka shpallur pavarësinë në shtetin e Kosovës.

Një gjë e tillë ka ndodhur pasi që pas tre muaj e më shumë, ky virus është mirëpritur masivisht nga kosovarët. Fryma miqësore që ka gjetur tek qytetarët e Kosovës ka bërë virusin Covid-19 t’i jetësojë pretendimet e tij territoriale në shtetin më të ri në Ballkan.

Duke prekur 2799 qytetarë dhe duke marrë jetën e 50 prej tyre, Covid-19 nga sot e tutje ka numrat e mjaftueshëm për t’u mos tunduar nga asnjë masë, sado restriktive që ndërmarrin autoritetet kosovare.

Ditëve në vijim, Republika Pandemike e Covid-19 pritet t’i funksionalizojë edhe institucionet e saj: Kollitjen, Temperaturën, Ethet (jo të së premtes, të gjithë javës), Kokëdhimbjen, Dhimbjen e Nyjeve dhe Asfiksia (Agjencioni për Vështirësimin e Frymëmarrjes).

Po ashtu, Kungulli merr vesh që shteti i Covid-19 do t’i shpallë ‘non-grata’ të gjitha llojet e maskave dhe dorëzave, dhe shumë shpejt do të fillojë kampanjën “UNË JAM TI! – TI JE UNË! Afrohu sa më shumë!”.
“THUMB” është seksion i lajmeve satirike të Gazeta Kosoves, lajmet e paraqitura këtu nuk korespondojnë me të vërtetën. Çdo përngjasim është i qëllimshëm për arsye përqeshjeje të fenomeneve të mbrapshta Gazeta Kosoves.