Çka po ndodh me LDK-në? gjysma e elektoratit i bashkohen Vjosës

Shkruan: Faik Krasniqi

“LDK do të pësoi debakël në zgjedhjet e ardhshme për tre arsye. E para, për shkak të rrëzimit të qeverisë Kurti në kohë të pandemisë. E dyta, për shkak të përjashtimit të Vjosa Osmanit nga partia. E treta, për shkak të nënshkrimit të marrëveshjes me Serbinë në Uashington. Jo për shkak të nënshkrimit në Uashington, por për shkak se LDK mori përsipër të nënshkruaj një marrëveshje të Hashim Thaçit. Vjosa ka elektorat të madh. Gjysma e elektoratit të LDK-së do e votojnë Vjosa Osmanin. Do të thotë që LDK do të bëj gara me AAK dhe Nismën”.

-LDK e dikurshme udhëhiqej nga intelektual të mirëfilltë, me në krye ish presidentin Rugova. Ishte parti me vlera.
Partia më e fuqishme në Kosovë. Prej vdekjes së ish presidentit Rugova, kjo parti ka degraduar totalisht.

Ka rënë në duart e ca matrapazëve dhe hajnave të paskrupullt, me në krye një ish komunist jugosllav si Isa Mustafa.

Koalicionet me PDK-në dhe keq-qeverisjet e kanë tkurrë vazhdimisht. Rreth 500 mijë vota fitonte në kohën e ish presidentit Rugova, kurse sot jo më shumë se 160-170 mijë vota.

Me përjashtim të zgjedhjeve të fundit, kur Vjosa Osmani ua fitoi rreth 210 mijë vota. Vjosa bëri gabim të madh në zgjedhjet e fundit, që pranoi t’i printe listës së LDK-së.

Kandidatura e saj ishte një mashtrim i madh nga krimbat e LDK-së. Ata ishin në dijeni që nëse nuk do ta kandidonin Vjosa Osmanin për kryeministre, elektorati do t’i ndëshkonte rëndë në zgjedhje.

Ajo nuk do të duhej t’i shpëtonte nga fundosja, sepse fundosja do t’i eliminonte politikisht gjithë kastën shkatërruese dhe Vjosa do të kishte rastin të zgjidhej kryetare e LDK-së. Me kandidaturën e Vjosës ata shpëtuan.

Arritën qëllimin e tyre. Pas zgjedhjeve Vjosën e mënjanuan, edhe pse ajo i shpëtoi nga fundosja. Edhe prishja e koalicionit me LVV nga ana e LDK-së, ka qenë e planifikuar nga këta të fundit.